Tv Klan: Lulzim Basha nuk është burrë

Një konflikt mes qeverisë dhe Partisë Demokratike, lidhur me disa leje ndërtimi të dhëna në Tiranë, është shndërruar në 24 orët e fundit edhe në një përplasje mes Televizionit Klan dhe selisë blu.
Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se me firmën e tij kishte dhënë 6 leje ndërtimi në Tiranë, mes tyre edhe për “biznesmenin e Gërdecit”, Mihal Delijorgji. Kryeministria reagoi duke deklaruar se këto leje ishin sigluar nga kryeministri pasi i ishin përcjellë nga Bashkia e Tiranës në kohën që drejtohej nga Lulzim Basha.
Sipas qeverisë, meqënëse këto leje ishin dhënë përpara urdhërit për pezullim që nxorri një vit më parë qeveria, ato u shqyrtuan nga Agjensia e Planifikimit të Territorit pas përcjelljes së dosjeve të tyre nga bashkia e Tiranës. Por sipas PD, kryetari i atëhershëm i bashkisë, Lulzim Basha, nuk kishte firmosur asnjë leje dhe dosjet i ishin përcjellë qeverisë pasi kryeministri kishte pezulluar procedimin e tyre nga pushteti vendor.
Në këtë përplasje, Tv Klan publikoi një dokument, që mbante firmën e ish-nënkryetarit të Bashkisë, Enno Bozo, ku i kërkohej kryeministrit Rama që të procedohej me 30 dosje për leje ndërtimi në Tiranë, nga të cilat më pas u dhanë vetëm 6.
Sipas Tv Klan ishte e qartë që në këtë shkresë shprehej vullneti i bashkisë për të dhënë këto leje ndërtimi, duke qenë se ishin proceduar përpara urdhërit për pezullim.
Kjo shkresë linte të kuptohej se bashkia ishte dakort për këto leje, por nuk kishte instrumentin ligjor për t’i bërë ato efikase meqënëse aktet nënligjore të ligjit të ri mbi këtë çështje nuk ishin hartuar ende. U desh një tjetër vendim qeverie që t’i hapej rrugë dhënies së këtyre lejeve.
Këtë kronikë të Tv Klan, Partia Demokratike e sulmoi ashpër të hënën në mbrëmje duke e akkuzuar Tv Klan për censurë ndaj opozitës. Televizioni u përgjigj sot nëpërmjet kësaj kronike që mund ta lexoni më poshtë:
“Partia Demkratike, në përpjekjet për t’ia faturuar Kryeministrit Rama dhënien e disa lejeve zhvillimore, ka kritikuar sot edhe Televizionin Klan për censurë. ‘TV Klan’, dje në kronikën e tij, ka cituar deklaratën e Partisë Demokratike, ku ajo thotë se, Edi Rama gënjeu shqiptarët duke dashur t’i ikë përgjegjësisë për lejet e ndërtimit që ka dhënë me firmën e tij dhe se Lulzim Basha nuk ka dhënë asnjë prej këtyre lejeve të ndërtimit.
Nga ana tjetër, kemi dhënë dhe reagimin e qeverisë, që nëpërmjet një dokumenti të firmosur nga Enno Bozdo, në emër të Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës së Ndërtuesve i kërkohej Edi Ramës, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit që t’u jepte leje ndërtimi disa kompanive të cilat dosjet e tyre ishin përgatitur në bashki para datës se hyrjes në fuqi të vendimit për bllokim të lejeve nga ana e Ramës.
Pra Klan ka dhënë të dy qëndrimet; PD ­në që thotë që lejet nuk i ka dhënë Basha dhe Ramën që thotë që lejet mi ka kërkuar Bashkia që t’i jap, me kërkesë e firmë të Enno Bozdos. Jo vetëm me zë, por edhe me figurë janë paraqitur 2 dokumentet të filmuara. Kronika gjendet e plotë edhe në internet.
Ne nuk e kuptojmë ku qëndron censuara e Klan këtu, por si duket kompleksi për firmat e hedhura dhe paburrëria për t’i qëndruar me dinjitet atyre çka kanë rënë dakort kur ishin në atë zyre, i detyron t’ia faturojnë ‘TV Klanit’ si censurë.
Megjithatë, meqenëse PD na ka akuzuar për censurë, pavarësisht të vërtetës, ne i kërkojmë ndjesë dhe i premtojmë që nuk do ta përsërisim më. Por në fund duam t’i themi një gjë, që opozita bëhet me burra dhe jo me fëmijë që çfarë të thonë në mëngjes nuk ta thonë në mbrëmje”.
Pas kësaj kronike ka reaguar edhe njëherë Partia Demokratike, duke e thelluar kështu hendekun me televizionin kombëtar, i njohur për qëndrimet e tij afër të djathtës. Më poshtë edhe reagimi i sotëm i PD:
“Partia Demokratike shpreh keqardhjen për qendrimin e përsëritur editorial të televizionit Klan kundër opozitës, të pabazuar në fakte e aspak objektiv.
Shtrembërimi i realitetit sipas axhendës personale është sherbimi më i keq që mund të bëjë një media. Edhe më keq, kur vihesh totalisht në shërbim të qeverisë dhe sulmon opozitën, mbi sajesa.
Por ka akoma edhe më keq, kur premton publikisht se nuk do censurosh më, ndërkohe që brenda të njëjtës sulm-kronike paraqet të gjymtuar deklaratën e Partisë Demokratike.
Partia Demokratike nuk mund të shantazhohet. Vlerat e lirisë dhe historia e kësaj force politike qendrojnë lart e janë të pangjashme me interesat e ditës së kujtdo pronari mediash”./LAPSI.AL/

PËRGJIGJU