Veton Surroi: Futbolli i mëhallës sime, me PDK-në dhe Daçiçin

Veton Surroi: Futbolli i mëhallës sime, me PDK-në dhe Daçiçin

VETON SURROI

E kam pasur një shok fëmijërie që, kur luanim futboll në mëhallë e ai ishte në ekipin që humbiste, nuk e përfundonte lojën. Kur bëhej e qartë se ai dhe shokët e tij humbisnin, shpikte një rregull të ri të lojës, që e anulonte golin e sapomarrë, apo u jepte të drejtën që pas kornerit të tretë, ata të kishin penallti apo se penalltia e sapoakorduar për ekipin tonë nuk vlente, sepse dy zogj kishin fluturuar prej kumbullës në kajsi, duke penguar zhvillimin normal të lojës.

Në të kundërtën, e prishnin lojën. Disi m’u kujtua ai shoku, dhe si çdo gjë që lidhet me fëmijërinë, me kapacitetin hiperrealist për të rikrijuar edhe absurden, duke lozur në një ekip së bashku me udhëheqjen e PDK-së dhe me Ivica Daçiqin. Brenda gushtit të vitit 2017, PDK-ja dhe Ivica Daçiqi bënë atë që bënte shoku im i fëmijërisë: përpjekjen për të ndërruar rregullat e lojës, kur këto rregulla nuk u konvenojnë.

2. PDK-ja ia ka kaluar shumë herë shokut tim të fëmijërisë, dhe po të fillohej me listën e veprimeve të kësaj organizate, që është edhe parti politike, do të dilte një libër i tërë. Gjatë këtij gushti, PDK-ja ka bërë atë që ka bërë verën e zgjedhjeve të kaluara. Asokohe nuk i pëlqeu njëri prej parimeve themelore të demokracisë parlamentare, sundimi i shumicës, dhe angazhoi Gjykatën (e vet) Kushtetuese, nëpërmjet presidentes (së vet) që të shpallë rregulla të reja të lojës.

Rregullat e reja, një interpretim absurd i Kushtetutës së vendit, thoshin se nuk është me rëndësi mendimi i shumicës, i shprehur lirë në Parlament, por mendimi i Partisë/koalicionit parazgjedhor që fitoi (relativisht) më së shumti vota. Rregullat e reja qenë të nevojshme për të siguruar që PDK-ja, që kishte më së shumti vota më 2014, të ketë të drejtë ta imponojë kryetarin e Kuvendit e pastaj ta bllokojë jetën politike deri sa të thyhet koalicioni i ndërtuar kundër saj. Rrëfimi i mëtejmë i fitores së PDK-së dhe degradimit të mëtejmë të Kosovës, që janë procese të kushtëzuara në formë të ndërsjellë, dihet.

Suksesi i arritur më 2014 ka inkurajuar të njëjtin veprim më 2017. PDK-ja dhe aleatët e saj kanë testuar disponimin e votave në Kuvend, i cili doli të jetë i pamjaftueshëm për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Meqë nuk i kanë votat për sukses, PDK-ja dhe aleatët e saj në koalicionin PAN zgjodhën shkallën e parë të shantazhit, mospjesëmarrjen. Shkasi gjendet lehtë, kryesuesi i seancës tha diçka që nuk duhej, moti ishte i nxehtë, dy zogj fluturuan prej kumbullës në kajsi, dhe PAN-i nuk merr pjesë në seanca deri sa të arrihet blerja (apo nga cikli i filmave Kumbara, “pranimi i një oferte që nuk mund të refuzohet”) i një a më shumë deputetësh.

Por, a nuk ishte pjesë e rregullave të reja të lojës së vitit 2014 edhe ky formulim i Gjykatës Kushtetuese: “Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”. Rrjedhimisht, a nuk është shkelje e Kushtetutës (gjithnjë sipas rregullave të lojës së formuluar nga PDK-ja dhe nënshkruar nga Gjykata Kushtetuese) mospjesëmarrja në seancë konstitutive? Apo këto rregulla kanë vlejtur për zgjedhjet e kaluara, e tash nuk vlejnë më? Dhe për këtë lojë duhen rregulla të reja?

3. Ivica Daçiq, ministër i Jashtëm i Serbisë, është bërë emër i cituar në gazeta europiane për shkak të një propozimi, të përsëritur nga ai disa herë, se zgjidhja për marrëdhëniet Kosovë-Serbi është pak a shumë vendosja e një kufiri mes shqiptarëve dhe serbëve. Teksti i tij i botuar në gazetën “Novosti” mund të shërbejë për zbavitje me një mentalitet konspiracioni, i cili nxjerr edhe këso jokonsistencë logjike: Kosova po bëhet pjesë e Shqipërisë së Madhe “shtetit potencialisht më vital në Ballkan, që bëhet forcë goditëse e ndikimit perëndimor dhe përpjekjeve islamo-osmane, për t’u kthyer përsëri”.

Duhet shumë imagjinatë apo kthim në kohën e retorikës së Milosheviqit për të parë se si të gjithë armiqtë e Serbisë bëhen bashkë: Perëndimi dhe islamo-otomanët, ndonëse ç’është e vërteta, kjo listë në kohën e ish-shefit të Daçiqit ishte më e gjatë dhe në të ishin edhe masonët e Vatikanit. Dhe po aq imagjinatë apo kthim në kohën e retorikës duhet për të kuptuar konceptin e Daçiqit, i cili shpjegon se ideja e tij është e “kompromisit historik dhe etnik.

Është ideja e ndarjes së asaj që është serbe dhe shqiptare, dhe normalizimi i marrëdhënieve tona, sigurimi i trashëgimisë ortodokse nëpërmjet krijimit të bashkësive autonome të manastireve sipas modelit të Atosit në Greqi, Bashkësia e komunave serbe në jug, kompensimi financiar për pronën e uzurpuar private dhe shtetërore”. Ajo që nuk kërkon imagjinatë është që ta vendosësh Daçiqin bashkë me shokun tim të mëhallës. Serbia, pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, u zotua se do ta luftojë pavarësinë e Kosovës me të drejtën ndërkombëtare. Këtë zotim e përligji me një kërkesë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për mendim rreth legalitetit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

GJND-ja dha mendimin se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është brenda së drejtës ndërkombëtare. Pra, këto janë rregullat e lojës që i kërkoi vetë Serbia. Pas këtij vendimi, paraardhësi i Daçiqit, Vuk Jeremiq, u përpoq të shpikë rregulla të reja, me iniciativën në OKB që përfundoi me Dialogun e Brukselit, një sukses i Beogradit për të treguar se në GJND ajo qe e penguar prej fluturimit të dy zogjve prej kumbullës në kajsi. Edhe ato rregulla u respektuan, me pamençurinë e skajshme të pushtetit kosovar nga Hashim Thaçi, i cili ka kryesuar organizata që merren edhe me politikë. E tash çka, rregulla të reja? Nuk ishte penallti, sepse këndonin myezinët islamo-otomanë?

4. Lojërat në mëhallën time përfundonin, me apo shokun tim inatçor. Shantazhi i tij arrinte ta prishte pak atmosferën, por kur nuk pranohej, loja mund të vazhdonte me më shumë cilësi. Dhe ky më duket se është mësimi parësor ndaj shantazhit për të ndërruar rregullat e lojës, ndërsa ajo po zhvillohet. Në rastin e PDK-së, shantazhi mund ta marrë fare lehtë përgjigjen me qetësi e përmbajtje. Pra, nëse PAN-i nuk merr pjesë në mbledhje, mund të mos marrin pjesë as të tjerët, derisa PAN-i t’i informojë se kanë një kandidat për kryetar të Kuvendit, që është i pranueshëm për të gjithë.

Pra, nuk ka imponim, ka bashkëpunim. Nëse çmimi që do paguar është bllokimi i Kuvendit, ashtu të jetë. Herën e fundit që ky vend u shantazhua nga PDK-ja, Kosova humbi tre vjet në paralizë dhe në dështime dramatike negociatore në Bruksel. Në rastin e Daçiqit, shantazhi duhet të marrë një përgjigje të shkurtër dhe një përgjigje të gjatë. Përgjigjja e shkurtë është se idetë për ndarje nuk janë as të reja e as të paprovuara. Serbia ka provuar ndarjen etnike që nga Kongresi i Berlinit më 1878, duke dëbuar dhjetëra e mijëra shqiptarë nga Nishi, Toplica e vise të tjera të Serbisë.

Ka provuar edhe në luftën e fundit në Kosovë, më 1999, duke dëbuar gati një milion shqiptarë nga Kosova. Prej themelimit të shtetit serb, zaten, nuk ka pasur politikë tjetër të Serbisë, pos ndarjes etnike, gjithnjë duke dëbuar shqiptarë. Kur nuk janë dëbuar, është bërë përpjekje e vazhdueshme që shqiptarët të jenë të dominuar. Këto ishin rregullat e vjetra të lojës dhe nuk vlejnë më. Rregullat e reja janë mendimi i GJND-së, atë që e kërkoi vetë Serbia.

Përgjigjja e gjatë është platforma kosovare për bisedime me Serbinë. Faqja e saj e parë fillon me emrat e të zhdukurve të Kosovës, emrat e tyre, fotografitë dhe përshkrimi i mënyrës se si supozohet se nuk janë më ndër të gjallët. Në atë faqe, dhe në ato të mëtejme, është kërkesa e Kosovës për përgjegjësinë e Serbisë si shtet për fëmijët, gratë dhe burrat e këtij vendi, të shumtën civilë, që u gjetën në kohën e gabuar e vendin e gabuar, aty kur dhe ku shteti i Serbisë vendoste se do të tërhiqte edhe një vijë ndarëse mes shqiptarëve dhe serbëve.